
Çfarë i bën ekipet vërtet të suksesshme? Pas 30 vitesh studimesh, përgjigjja është çuditërisht e thjeshtë. Nuk lidhet me talentin, inteligjencën apo përvojën. Ka të bëjë me diçka që shpesh nuk i kushtojmë vëmendje.
Dr. Vanessa Druskat, psikologe dhe profesoreshë e sjelljes organizative në Universitetin e New Hampshire, ka kaluar më shumë se tre dekada duke studiuar ekipet, nga kompani të vogla deri te organizata të mëdha, në industri të ndryshme. Ajo thotë se sekreti i suksesit nuk është te individët, por te mënyra si ata bashkëveprojnë.
Gjatë viteve, ajo ka analizuar ekipe të ndryshme, në kompani dhe industri të ndryshme, duke parë nga afër çfarë i bën disa prej tyre të performojnë më mirë se të tjerët. Përfundimi i saj është ky: ajo që bën diferencën janë normat.
Me fjalë të thjeshta, normat janë “çfarë konsiderohet normale” brenda një ekipi. Si komunikojnë njerëzit, si reagojnë ndaj njëri-tjetrit, si zgjidhin konfliktet apo si e mbështesin njëri-tjetrin.
Sipas Druskat, këto norma janë faktori më i rëndësishëm që përcakton sjelljen e një ekipi. Sepse, në praktikë, njerëzit ndikohen më shumë nga ajo që bëjnë të tjerët rreth tyre, sesa nga karakteri apo aftësitë individuale.
Sipas Druskat, për të ndërtuar një ekip të fortë, duhet të krijohen tre norma kryesore.
E para lidhet me kuptimin e njëri-tjetrit. Kur njerëzit ndihen të kuptuar dhe pjesë e ekipit, ata ndihen më të sigurt dhe bashkëpunojnë më mirë. Njohja e pikave të forta dhe të dobëta të kolegëve krijon një dinamikë ku secili mbështet tjetrin.
E dyta është kujdesi ndaj njëri-tjetrit. Është shumë e vështirë që një person të japë maksimumin në një ekip ku nuk ndjen që vlerësohet.
E treta është adresimi i sjelljeve problematike. Shumë drejtues duan të përqendrohen menjëherë te problemet, por pa krijuar më parë besim dhe mirëkuptim, kjo bëhet shumë më e vështirë. Kur njerëzit ndihen të respektuar dhe të mbështetur, ata janë më të hapur ndaj kritikave dhe përmirësimit.
Në fund, mesazhi është i qartë: nuk janë individët e jashtëzakonshëm që krijojnë një ekip të suksesshëm, por mënyra si ata ndërtojnë marrëdhëniet dhe punojnë bashkë çdo ditë.
