
Mjaftojnë vetëm disa sekonda për të krijuar një përshtypje për dikë. Shpesh vendosim menjëherë nëse një person na duket i besueshëm, simpatik, arrogant apo i ftohtë, edhe pa shkëmbyer pothuajse asnjë fjalë me të.
Psikologët kanë zbuluar prej kohësh se truri ynë formon gjykime shumë të shpejta. Në disa raste, njerëzit arrijnë të krijojnë një ide për “besueshmërinë” e dikujt brenda vetëm 39 milisekondash pasi shohin fytyrën e tij. Por pyetja më interesante është, a flasin këto përshtypje për personin që kemi përballë, apo për vetë ne?
Një studim i publikuar në vitin 2019 në Journal of Personality and Social Psychology analizoi më shumë se 400 mijë vlerësime fytyrash nga mijëra pjesëmarrës dhe arriti në një përfundim surprizues: përshtypjet e para janë shumë më subjektive sesa mendojmë.
Ja katër faktorët kryesorë që ndikojnë mënyrën si i gjykojmë të tjerët:
1. Përvoja dhe karakteri ynë ndikojnë më shumë sesa mendojmë

Sipas studiuesve, përshtypja e parë nuk është një “lexim objektiv” i realitetit. Çdo person hyn në një ndërveprim duke marrë me vete përvojat personale, paragjykimet, emocionet dhe mënyrën si është rritur.
Për shembull, dy persona mund të takojnë të njëjtin koleg të ri në punë. Njëri mund ta perceptojë si të zgjuar dhe të qetë, ndërsa tjetri si arrogant dhe të ftohtë. Personi nuk ka ndryshuar, ndryshon mënyra si e interpretojmë ne.
Psikologët e quajnë këtë “efekti i vëzhguesit”: prirja jonë për t’i parë të tjerët përmes filtrit të përvojave personale.
2. Gjinia ndikon në mënyrën si krijohen përshtypjet

Studimi tregoi se pamja fizike ka më shumë ndikim kur njerëzit gjykojnë gratë sesa burrat.
Në jetën e përditshme kjo ndodh vazhdimisht. Një burrë mund të gjykohet kryesisht nga performanca apo aftësitë e tij, ndërsa tek gratë shpesh hyjnë në lojë edhe faktorë si veshja, mimika, pamja “e lodhur”, mënyra si prezantohen apo sa “të kuruara” duken.
Madje edhe detaje të vogla vizuale mund të ndikojnë në mënyrë disproporcionale mënyrën si perceptohet një grua. Dhe shpesh standardet janë kontradiktore, të dukesh serioze, por jo shumë e ftohtë; e kuruar, por jo “tepër perfekte”.
3. Pamja fizike vazhdon të ketë shumë peshë

Një nga gjetjet më të forta të studimit ishte se njerëzit bien shumë më tepër dakord mes tyre kur gjykojnë atraktivitetin fizik sesa tipare si besueshmëria apo dominanca.
Kjo lidhet me atë që psikologët quajnë “efekti halo”, kur një person konsiderohet tërheqës fizikisht, njerëzit kanë tendencën t’i atribuojnë automatikisht edhe cilësi të tjera pozitive, si inteligjenca, karizma apo kompetenca.
Për këtë arsye, njerëzit që përputhen me standardet tradicionale të bukurisë shpesh marrin më shumë buzëqeshje, kontakt me sy dhe sjellje më miqësore që në takimin e parë.
Ndërkohë, ata që nuk përputhen me këto standarde mund të përballen me reagime më të ftohta, edhe kur sjellja e tyre është identike.
4. Stereotipet kulturore ndikojnë më shumë nga sa pranojmë

Studimi analizoi edhe mënyrën si raca dhe grupet sociale ndikojnë në krijimin e përshtypjeve të para. Rezultatet treguan se stereotipet kulturore luajnë një rol të madh në mënyrën si interpretojmë fytyrat dhe sjelljet e njerëzve.
Megjithatë, studiuesit zbuluan edhe diçka interesante, kur njerëzit ndaheshin në grupe të rastësishme pa histori apo kuptim social, shumë nga paragjykimet zhdukeshin. Kjo tregon se stereotipet nuk janë të lindura, por të mësuara nga shoqëria.
Kjo është arsyeja pse dy njerëz mund të interpretojnë të njëjtën sjellje krejt ndryshe, varësisht nga bindjet dhe pritshmëritë që kanë krijuar gjatë jetës.


