
Edicioni i tretë i “Ferma VIP” do të nisë më 27 mars, sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të programit në Instagram, ku është shpërndarë edhe një video e shkurtër promovuese që konfirmon datën e rikthimit të këtij formati.
View this post on Instagram
Sezoni i ri shënon gjithashtu rikthimin në ekranin tradicional të moderatores Arbana Osmani, e cila do të drejtojë programin, teksa përmes postimeve në rrjete sociale ka lënë të kuptohet se është kujdesur për ecurinë e të gjitha parapërgatitjeve. Ky rikthim pritet me kuriozitet, pasi është hera e parë që ajo shfaqet në një logo ndryshe nga ajo e Top Channel dhe në një program konkurrent me “Big Brother VIP”, të cilin e ka moderuar për shumë edicione.
Në produksionin e këtij edicioni është përfshirë edhe regjisori Eduart Grishaj, bashkëshorti i Arbanës, i cili do të ketë rolin e regjisorit të programit.

“Ferma VIP” është një format reality që vendos personazhe të njohur përballë një mënyre jetese ndryshe nga ajo me të cilën janë mësuar. Pjesëmarrësit duhet të lënë përkohësisht jetën e tyre të përditshme dhe të përballen me punët e fermës, jetesën në natyrë dhe sfidat e izolimit nga bota e jashtme.
Ambienti rural dhe sfidat që lidhen me jetën në fshat pritet të jenë sërish në qendër të formatit, ndërsa ende nuk janë bërë publikë emrat e personazheve që do të marrin pjesë në këtë sezon të tretë.



