
Raportet me fëmijët e partnerit zakonisht komentohen kur ka dramë: ish-partnerë, tensione, xhelozi apo marrëdhënie që “nuk shkojnë”. Ndaj ndoshta pikërisht për këtë arsye postimi i Alketa Vejsiut për Michelle-n, vajzën e bashkëshortit të saj, tërhoqi vëmendje: sepse ishte krejt e kundërta.
“Michelle është motra e madhe e dy fëmijëve të mi,” shkroi Alketa në Instagram, ndërsa i uronte asaj një jetë “të madhe dhe të bukur si dritat, grataçelat dhe mundësitë pa kufij të New York-ut”. Në fund, e quajti “mikeshë përgjithmonë” dhe “shpirt të veçantë”.

Edhe figura të tjera publike shqiptare kanë folur ndër vite për raportet e tyre me fëmijët e partnerëve, shpesh në një mënyrë shumë më të qetë dhe më të natyrshme nga sa jemi mësuar të shohim në narrativat klasike të familjeve të tilla, si pasojë e një kulture ku termi “njerkë” shpesh është ngarkuar me stereotipe.

Bieta Sulo, për shembull, ka folur shpesh për raportin me Joelle-n, vajzën e Alban Dudushit nga një lidhje e mëparshme. Në një intervistë vite më parë, Bieta tregoi se Joelle ishte ndër personat e parë që mori vesh për shtatzëninë e saj me Kroi Artin dhe se e ruajti sekretin deri në muajin e tretë. “O Bieta, o Bieta!”, i kishte thënë në videocall sapo e mori vesh lajmin. Bieta ka qenë gjithmonë shumë e kujdesshme në mënyrën si e përshkruan raportin e tyre: “Nuk kam dashur kurrë t’i bëj mamanë. Jam shoqja e saj më e madhe.”

Çiljeta Xhilaga është kthyer shpesh në një nga shembujt më të komentuar për mënyrën si ka folur dhe është kujdesur për Bekon, djalin e partnerit të saj Alban Hoxha. Historia e Bekos ka prekur publikun prej vitesh, pasi nëna e tij ndërroi jetë vetëm pak ditë pas lindjes së tij. Çiljeta ka treguar vazhdimisht se nuk bën asnjë dallim mes Bekos dhe Fernandos, djalit të saj. Gjatë qëndrimit në “Ferma VIP”, ajo foli me shumë dashuri për Bekon: “Ai është kopje si mami i vet. Ka një fytyrë engjëlli.” Ndërsa momenti kur takoi dy djemtë pas izolimit u komentua gjatë në rrjete sociale, pikërisht sepse mënyra si i përqafoi dhe i quajti “çunat e nënës së vet” u duk krejtësisht spontane dhe pa sforco.

Një raport shumë miqësor me vajzat e partnerit ka treguar edhe Zaimina Vasjari. Këngëtarja është shprehur se marrëdhënia mes tyre është ndërtuar natyrshëm dhe më shumë si motra apo shoqe, edhe për shkak të mënyrës si bashkëshorti i saj ka ndërtuar raportin me të bijat.

Edhe Eni Koçi ka folur për raportin me Gjinin, djalin e Genc Prelvukajt nga martesa e mëparshme. Ajo tha se e konsideron “si shok” dhe se zakonisht bëhen bashkë “kundër Gencit”.

Një nga rrëfimet më emocionale ka qenë ai i Denata Toçes te "E diela shqiptare". Psikologia tregoi se për vite kishte hezituar të krijonte një lidhje me Arben Skënderin pikërisht sepse ai kishte një djalë të vogël, Antuanin. Si psikologe, ajo e dinte sa delikate janë këto marrëdhënie për një fëmijë. Por sot ajo flet për Antuanin me shumë dashuri dhe respekt, duke theksuar diçka shumë të rëndësishme: “Unë nuk jam nëna e tij dhe as nuk kam dashur të jem. Ai ka mamanë e vet, një grua që respektoj shumë.” Denata tregoi gjithashtu se për vite kishin vendosur kufij shumë të kujdesshëm në raportin e çiftit përpara Antuanit, që ai të mos ndihej emocionalisht në vështirësi.
Arsyeja pse histori të tilla prekin kaq shumë njerëz është fakti se nuk flasin për familje perfekte, por për njerëz që kanë zgjedhur të ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme në një raport që shpesh paragjykohet ose dramatizohet nga jashtë.