
Këngëtari i njohur Gjesti është arrestuar këtë të mërkurë në Prishtinë, nën dyshimet për armëmbajtje pa leje.
Sipas raportimeve nga mediat në Kosovë, reperi është ndaluar nga policia dhe më pas është shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje lidhur me rastin. Pas intervistimit, autoritetet kanë vendosur që ai të dërgohet në paraburgim për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se arrestimi ka ndodhur rreth orës 15:00, në rrugën “Mehmet Isahi” në Prishtinë.
“Sot, rreth orës 15:00, në rrugën Mehmet Isahi në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person të dyshuar për armëmbajtje pa leje. I dyshuari është intervistuar dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në deklaratën e policisë për mediat.
Rasti tashmë pritet të trajtohet nga organet e drejtësisë, ndërsa nuk dihet ende nëse ndaj këngëtarit do të ngrihen akuza të tjera.
Nga ana tjetër, nuk ka ende një reagim nga vetë këngëtari.


