
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendimin lidhur me masën e sigurisë ndaj artistit Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti. Pas dëgjimit të palëve në seancë, gjykata ka vendosur t’i caktojë atij masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Sipas njoftimit zyrtar nga Departamenti i Përgjithshëm, vendimi erdhi pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ndaj të pandehurit ekzistojnë dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale të kanosjes, dëmtimit të pasurisë, si dhe mbajtjes në pronësi apo kontroll të paautorizuar të armëve.
Gjykata vlerësoi se caktimi i paraburgimit paraqet aktualisht masën më të përshtatshme për të siguruar zhvillimin e rregullt dhe të papenguar të procedurës penale.
Në arsyetimin e vendimit theksohet se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, mundësinë e ndikimit mbi dëshmitarët, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale. Për këto arsye, gjykata vlerësoi se paraburgimi është masa më e domosdoshme në këtë fazë të hetimit.
Megjithatë, mbrojtja e artistit ka ende në dispozicion mjetet ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim.
Gjesti u arrestua më 11 mars 2026 në Prishtinë nën akuzën për armëmbajtje pa leje. Sipas policisë, arrestimi ndodhi rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi”, ku artisti u ndalua dhe më pas u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai u dërgua në ndalim policor për 48 orë.
Një ditë më vonë, më 12 mars 2026, mediat raportuan edhe rrethanat që çuan në arrestim. Sipas burimeve, këngëtari kishte shkuar në zyrat e kompanisë muzikore Onima, ku pati një konflikt verbal me drejtuesin e saj, Erkand Shabani. Situata dyshohet se u tensionua gjatë debatit dhe raportohet se u dëmtua një kompjuter në ambientet e kompanisë, çka bëri që drejtuesit të njoftonin policinë për kanosje dhe dëmtim prone.
Pas ndërhyrjes së policisë, ndaj artistit u ngritën dyshime për tri vepra penale: armëmbajtje pa leje, kanosje dhe dëmtim të pasurisë. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkoi caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa seanca për shqyrtimin e kërkesës u parashikua të mbahej më 13 mars 2026.
Konflikti mes Gjestit dhe kompanisë Onima nuk është i ri. Tensionet mes palëve u bënë publike që në verën e vitit 2025, kur artisti deklaroi se kishte ndaluar publikimin e projekteve muzikore për shkak të mosmarrëveshjeve me distributorin e tij lidhur me të drejtat dhe shpërndarjen e muzikës. Kompania, nga ana tjetër, mohoi akuzat dhe deklaroi se çështja lidhej me përpjekjen e artistit për t’u shkëputur nga kontrata ekzistuese.


