
Një sezon i ri, një studio e re, një investim i madh, një emër i njohur. Pastaj kupton që kombinimi i këtyre nuk është rastësor dhe gjithë çfarë po sheh nuk është sezoni i radhës, por fillimi i diçkaje tjetër.
Sezoni i tretë i “Ferma VIP”, që nis sot në Vizion Plus, nuk është një reality show që rikthehet në ekran për të tretin vit radhazi, por diçka tjetër - me më shumë para, me më shumë kontroll dhe, mbi të gjitha, me më shumë ambicie. Sepse për herë të parë, Arbana Osmani shfaqet në një logo televizioni që nuk është Top Channel. Por duke lexuar mes rreshtave, kjo nuk është një lëvizje nga një televizion në tjetrin në karrierën e Arbanës. Është shumë më tepër.
Një investim që nuk bëhet për të provuar fatin
Kur regjisori Eduart Grishaj foli për teknologjinë e këtij sezoni, ai prezantoi një standard tjetër: kamera të së njëjtës kategori me ato që përdoren në evente si Super Bowl apo finalet e UEFA Champions League (përdoren edhe në televizionet e mëdha në vend), një regji e ndërtuar për kontroll total të programit, për “7 kamera për fermer” etj.

Marco Lucarelli, një profesionist me eksperiencë në RAI, Mediaset dhe Festivalin e Sanremos, i cili ka bashkëpunuar më parë edhe me TV Klan, prezantoi një studio të ridizenjuar me mure LED dhe një estetikë tjetër nga ajo e viteve të kaluara.

Në praktikë, kjo përkthehet në një infrastrukturë që kushton. Një regji e jashtme me gjasë e marrë me qira (OB Van që Grishaj e përshkroi si nëndetëse) e cila funksionon 24/7 mund të shkojë lehtësisht nga 100 mijë deri në mbi 300 mijë euro për sezon. Nga të dhëna të sigurta të siguruara nga Anabel, vetëm kamerat e studios, me një mesatare prej rreth 1000 euro në ditë dhe një konfigurim prej disa javësh produksioni, arrijnë shifra që afrohen me 200 mijë euro për sezon. Po t’u shtosh kamerat e brendshme në numër të madh, ndriçimin profesional, audion cilësore këtë sezon, serverat dhe streaming 24/7, kostoja rritet ndjeshëm.

Në të njëjtën kohë, investimi reflektohet edhe në vetë hapësirën. Shtëpia është katër herë më e madhe se ajo e mëparshmja dhe koncepti largohet nga ideja e një ferme tradicionale shqiptare, duke iu afruar një modeli modern, më afër Teksasit apo Los Angeles-it, sesa realitetit rural lokal. Brenda fermës ndodhet edhe "Vila", një zonë luksoze brenda kompleksit.
Pra, e gjithë paketa shkon realisht në një investim që luhatet mes 1 dhe 1.5 milion euro.
Këtu kemi një sinjal shumë të qartë: Ky format nuk është ndërtuar për një sezon, sepse askush nuk investon kaq shumë për një eksperiment që zgjat 3 muaj.

Arbana si moderatore? Jo.
Për ta kuptuar realisht këtë lëvizje, duhet të kthehemi pas në kohë. Arbana nuk u largua nga “Big Brother” në një moment jo të mirë të programit. Ajo u largua (me dëshirën e saj ose jo) në kulmin e tij, në një sezon që u dominua nga figura e Luiz Ejllit dhe që u kthye në fenomen kulturor.
Ky fakt ka rëndësi, sepse kur largohesh në kulm, nuk konsumohesh. Është e vështirë që publiku të të zbresë nga froni, pavarësisht se në këtë pikë Ledion Liço është konsoliduar si figurë. Megjithatë, emri i Arbanës, i lidhur fort me sezonet më të suksesshme të “Big Brother VIP”, vazhdon të mbajë një peshë të veçantë dhe një ndjesi nostalgjie për një pjesë të madhe të audiencës.
Në vitet që pasuan, Arbana nuk hoqi dorë nga emri i “Big Brother”-it. Përkundrazi, e mbajti si pjesë të identitetit të saj, si autore dhe si figurë që lidhej drejtpërdrejt me sezonet më të suksesshme. Në të njëjtën kohë, testoi fuqinë e saj si brand më vete përmes emisionit “Mirëmbrëma Yje” në Youtube, duke i treguar tregut që publiku nuk është i lidhur vetëm me formatin, por edhe me figurën.
Kjo është arsyeja pse prania e saj në “Ferma VIP 3” nuk është një rikthim në ekran, por një provë: që Arbana mund të ketë sukses pa “Big Brother”, që mund të ndërtojë një format nga e para dhe - ndoshta më e rëndësishmja - që publiku mund të bëjë pa “Big Brother”. Kjo e fundit është lufta e saj më e madhe.

Një marrëveshje ndryshe
Fakti që “Ferma VIP” do të transmetohet edhe në kanalin e saj në YouTube nuk është një detaj teknik apo risi e këtij viti, por është një element negociimi që rrallë shihet në tregun shqiptar.
E thënë thjeshtë, kemi një formulë të re: Vizion Plus investon në infrastrukturë dhe format, ndërsa Arbana investon në audiencë dhe përmbajtje. Kjo është arsyeja pse kjo marrëveshje nuk ka sens nëse mendohet si afatshkurtër. Sepse askush nuk ndërton një program të tillë për një sezon. Ky është fillimi i një formatu që synon të zgjasë dhe të ketë fitim, por edhe ndikim.

Koha perfekte për të sfiduar një gjigand
Në çdo industri, nuk mjafton të jesh i mirë. Duhet të jesh i mirë në momentin e duhur. Prandaj nuk është rastësi që kjo lëvizje ndodh pikërisht këtë vit.
“Big Brother” në Top Channel mbetet një nga formatet më të forta që ka parë televizioni shqiptar, por për herë të parë ka sinjale të qarta lodhjeje: histori që përsëriten, një publik që reagon më pak në rrjete sociale dhe, sipas burimeve tona, një ulje të çmimeve të reklamave. Ky është momenti kur një format alternativ mund të jetë kërcënim real.
Historia e reality show-ve në Shqipëri e bën këtë “betejë” edhe më interesante. TV Klan nuk arriti ta mbajë gjatë një format si “Love Island”, pavarësisht investimit. Luana Vjollca tentoi ta riformatojë, duke e afruar me logjikën e “Big Brother”, por rezultati nuk ishte i qëndrueshëm. Edhe Alketa Vejsiu ka treguar se ka qenë në komunikim me produksione të famshme nëpër botë, pa e kthyer në një projekt konkret afatgjatë.
Në këtë kontekst, fakti që “Ferma VIP” arrin në sezonin e tretë nuk është pak. Por këtë herë, “Ferma VIP” jo vetëm po vazhdon, por po rrit investimin dhe ambicien, gjë që tregon se këtë herë objektivi nuk është thjesht vazhdimësia.
Objektivi është të dominojë tregun.

Por a është e thjeshtë?
Televizioni ka një rregull që nuk ndryshon: përmbajtja.
“Big Brother VIP” nuk u bë fenomen vetëm për shkak të formatit apo moderimit, por sepse kishte personazhe që publiku i ndoqi emocionalisht. Rasti i Luiz Ejllit është shembulli më i dukshëm i kësaj formule.
Edhe “Ferma VIP” ka pasur momentet e veta virale, me personazhe dhe dinamika që kanë qarkulluar në rrjet (Dijonis Biba dhe marrëdhënia me Marjana Kondin, raporti Alba-Limi). Por diferenca mes disa momenteve virale dhe një sezoni që mbahet mend është e madhe. Dhe këtu do të testohet realisht “Ferma VIP 3”.

Një luftë që nuk thuhet me zë
Në sipërfaqe, kjo është një garë mes dy formateve. Në thelb, është një përpjekje për të zhvendosur qendrën e gravitetit në industrinë e reality show-ve në Shqipëri.
Sepse nëse “Ferma VIP” arrin të bëhet faktor real, atëherë për herë të parë pas shumë vitesh, “Big Brother” nuk është më standardi i vetëm. Për herë të parë, një format tjetër mund të marrë rolin që për vite ka qenë pothuajse monopol.
Por historia e televizionit shqiptar ka treguar që fitoret janë shpesh të përkohshme. “Portokalli” u sfidua me sukses nga “Apartamenti 2XL” dhe megjithatë përfundoi një ditë, ndërsa “Portokalli” vazhdon dhe ndiqet ende. Duke qenë se Vizion Plus nuk ka pasur gjithmonë konsistencë, mbetet për t’u parë nëse kjo do të jetë një ngritje afatgjatë apo një moment i fortë, por kalimtar.

Dhe ndoshta pyetja duhet bërë ndryshe
Sepse ndërkohë që të gjithë po pyesin nëse “Ferma VIP” do të mundë “Big Brother”, ndoshta pyetja më e rëndësishme është: a ka ende publik për këto formate?
Gjenerata Z duket gjithnjë e më e distancuar nga televizioni tradicional, ndërsa vëmendja është shpërndarë në platforma të tjera, më të shpejta dhe më të fragmentuara. Në këtë kuptim, nuk është vetëm garë mes dy programeve, por një përpjekje për të mbajtur gjallë një model të tërë.
Në fund, përgjigjja për pyetjen “A po i jep Arbana fund Big Brother-it?” mbetet e hapur.
Për t’i dhënë fund diçkaje, nuk mjafton ta mundësh. Duhet ta bësh publikun të mos ketë më nevojë për të. Deri atëherë, një gjë është e sigurt: loja është bërë interesante.
Kështu pra, erdhëm në fund. Anabel u përpoq të lexonte mes rreshtave, si zakonisht – sepse dikush duhet ta bëjë. Faleminderit që na lexuat deri në fund dhe e shijuat gjithë këtë dramë. :)
Copyright © anabel.al / Ndalohet kategorikisht riprodhimi, publikimi apo transmetimi i këtij artikulli nga mediat e tjera, në çdo formë dhe me çdo mjet, pa lejen paraprake të redaksisë.