
Reality show “Ferma VIP” pritet të rikthehet më 27 mars me sezonin e tij të tretë, ndërsa produksioni ka nisur të rrisë pritshmëritë duke publikuar pamjet e para nga ambientet e reja.

Videoja e publikuar në faqen zyrtare zbulon një hapësirë të kuruar në detaje, që kombinon natyrën me elemente moderne.

Patjetër, nuk mungojnë kafshët, teksa një gomar shfaqet në oborrin e gjelbëruar, duke ruajtur thelbin rural të spektaklit. Ndërkohë, hapësirat e jashtme duken më të strukturuara, me pishinë dhe elementë që nuk i kemi parë sezonet e mëparshme.

Një tjetër detaj që bie në sy është ndërthurja e stilit tradicional me atë modern. Ndriçimi i jashtëm, godinat prej druri dhe strukturat e reja tregojnë për një investim më të madh në skenografi, duke e kthyer fermën në një ambient më “fancy”, pa humbur identitetin rural që e karakterizon formatin.

Sezoni i ri shënon gjithashtu rikthimin në ekranin tradicional të moderatores Arbana Osmani, e cila do të drejtojë programin, teksa përmes postimeve në rrjete sociale ka lënë të kuptohet se është kujdesur për ecurinë e të gjitha parapërgatitjeve. Ky rikthim pritet me kuriozitet, pasi është hera e parë që ajo shfaqet në një logo ndryshe nga ajo e Top Channel dhe në një program konkurrent me “Big Brother VIP”, të cilin e ka moderuar për shumë edicione.
Në produksionin e këtij edicioni është përfshirë edhe regjisori Eduart Grishaj, bashkëshorti i Arbanës, i cili do të ketë rolin e regjisorit të programit.

“Ferma VIP” është një format reality që vendos personazhe të njohur përballë një mënyre jetese ndryshe nga ajo me të cilën janë mësuar. Pjesëmarrësit duhet të lënë përkohësisht jetën e tyre të përditshme dhe të përballen me punët e fermës, jetesën në natyrë dhe sfidat e izolimit nga bota e jashtme.
Ambienti rural dhe sfidat që lidhen me jetën në fshat pritet të jenë sërish në qendër të formatit, ndërsa ende nuk janë bërë publikë emrat e personazheve që do të marrin pjesë në këtë sezon të tretë.


