
Përplasja mes kompanisë muzikore ONIMA dhe artistit Besart Kelmendi, njohur si Gjesti, vijon të tensionohet, ndërsa drejtuesi i kompanisë, Erkand Shabani, ka reaguar publikisht përmes disa postimeve në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se ka dorëzuar pranë organeve të rendit disa fakte të reja që, sipas tij, lidhen me këtë çështje.
Sipas Shabanit, bëhet fjalë për informacione që lidhen me lëvizje të dyshimta dhe të organizuara të automjeteve pranë zyrave të ONIMA-s, si dhe vetë momentin e konfliktit me Gjestin, ku ky i fundit u paraqit në ambientet e kompanisë dhe dëmtoi disa kompjutera, duke u arrestuar më pas.
Ai thekson se këto të dhëna tashmë janë denoncuar dhe duhet të merren në konsideratë nga prokuroria si element shtesë në vlerësimin e rrezikshmërisë ndaj tij personalisht dhe ndaj stafit të kompanisë.

Shabani shton se, në bashkëpunim me avokatin e tij, do të dorëzohen edhe prova të tjera që, sipas tij, lidhen me veprime të grupeve të ndryshme që kanë tentuar të sigurojnë përfitime financiare nga kompania përmes kërcënimeve të ndryshme.
Në të njëjtën kohë, Shabani ka akuzuar disa artistë se kanë qenë pjesë e një fushate publike që, sipas tij, ka nxitur arsyetimin e dhunës dhe ka shpërndarë informacione të pavërteta në publik. Në reagimin e tij ai përmend disa emra të njohur të skenës muzikore dhe publike, mes tyre Zanfina Ismaili, Tayna, Yll Limani, Vesa Luma, Xheneta Fetahu, G-Bani, Pleurat Zeksyla, Oriola Marashi dhe Besa Kokëdhima.

Po ashtu, ai pretendon se kjo fushatë ka pasur për qëllim ushtrimin e presionit publik ndaj trupit gjykues dhe lehtësimin e masave ndaj Gjestit, si dhe presion ndaj kompanisë ONIMA për të arritur një marrëveshje të detyruar.
Më tej, Shabani thekson se kompania do të ndjekë çdo deklaratë publike që lidhet me këtë rast dhe se për çdo rast që përbën shkelje të ligjit do të ndërmerren hapa ligjorë.
Ndër të tjera, ai paralajmëron se javën e ardhshme kompania do të mbajë një konferencë për shtyp, ku do të publikohen video nga momenti i sulmit të pretenduar të Gjestit, si dhe raporte financiare që tregojnë se kompania nuk i detyrohet asnjë shumë.

Në fund të reagimit të tij, Shabani bën thirrje që të ndalet gjuha që nxit dhunë dhe thekson se ONIMA do të vazhdojë të mbrojë qëndrimin e saj përmes mjeteve ligjore.
Kundërpërgjigjet e artistëve
Pas paralajmërimeve të Erkand Shabanit për padi ndaj disa figurave publike, reagimet nuk kanë munguar nga ana e personave të përfshirë në debat.
Xheneta Fetahu reagoi me ironi në rrjetet sociale, duke e quajtur situatën “gjyqi i shekullit”. Ajo e kritikoi Shabanin duke i kërkuar që, sipas saj, të fokusohet më shumë te pagesat e punëtorëve sesa te dramat publike.

Ndërkohë, Zanfina Ismaili zgjodhi një reagim ndryshe. Këngëtarja publikoi vetëm një emoji, duke lënë të kuptohet bezdisja dhe indiferenca ndaj deklaratave të bëra nga drejtuesi i ONIMA-s.

Reagimi më i ashpër erdhi nga reperi G-Bani, i cili përmes një videoje refuzoi ta quante Shabanin “zotëri” dhe i qëndroi etiketimit “skllavopronar”. Ai deklaroi se Besart Kelmendi nuk e meriton të qëndrojë prapa hekurave dhe se përgjegjësinë për situatën e mban vetë drejtuesi i kompanisë.
View this post on Instagram
Reperi madje e krahasoi Shabanin me një diktator që, sipas tij, nga paniku i momentit po reagon në mënyrë të verbër për të mbrojtur atë që ai e quajti një “iluzion pushteti”.
Përplasja mes palëve duket se është larg përfundimit, ndërsa pritet që konferenca e paralajmëruar për shtyp nga ONIMA të sjellë zhvillime të reja në këtë çështje që ka përfshirë jo vetëm palët direkte, por edhe një pjesë të mirë të artistëve të njohur shqiptarë.



