
Si njohës të mirë të komunikimit dhe të gjitha formave të tij, disa postime na “ngacmojnë”, sepse qartazi nuk janë hedhur krejt rastësisht.
Kështu ndodhi edhe me videon e publikuar nga Arbër Hajdari, ku shfaqen Ledion Liço, Monika Kryemadhi dhe vetë ai duke kërcyer në studio, në një atmosferë të relaksuar. Deri këtu, mund të duket si një postim i zakonshëm gjatë “Big Brother VIP”. Por në momentin që në video bëhet tag edhe Sara Hoxha, e cila më pas e riposton në Instagram, dhe më pas e riposton edhe Ledioni, historia nis të marrë një tjetër ngjyrim.
Në sipërfaqe, mesazhi është i thjeshtë: jemi mirë, jemi bashkë, jemi në humor, jemi të pashqetësuar. Mirëpo dje, gjatë transmetimit të “Ferma VIP”, Ermal Mamaqi, opinionist në program, tha një fjali që u lexua menjëherë si thumb: “Dikush më tha që ti do jesh ai Hajdari i Fermës.” Ishte një batutë, po. Por jo nga ato që kalojnë menjëherë. Ishte nga ato batuta që bëjnë punën e tyre pikërisht sepse thuhen si shaka.
Pikërisht për këtë arsye, videoja e postuar nga Arbër Hajdari, merr një tjetër kuptim. Sepse nuk është thjesht Arbri që poston një moment të bukur nga studio, por poston një video me Ledionin dhe Monikën, bën tag Sarën, Sara e riposton, Ledioni po ashtu, dhe krejt papritur krijohet një imazh i qartë: ekipi i “Big Brother” është aty, i bashkuar, i qeshur, sikur po thotë se nuk ka asgjë për t’u diskutuar.
Por ka edhe një detaj tjetër që e bën këtë lëvizje më pak rastësore seç duket.
Sara Hoxha, këtë sezon, ka postuar pothuajse vetëm detaje profesionale në raport me “Big Brother VIP”. Në përgjithësi, ajo ka postuar përmbajtje promocionale të prime-ve, materiale zyrtare, elemente të komunikimit të programit. Jo meme. Jo repost-e të tipit “mood”. Pikërisht për këtë arsye, fakti që riposton këtë video e bën postimin të duket edhe më pak spontan.
Dhe kjo bëhet edhe më interesante në një moment kur Sara dhe Ledioni përfliten prej kohësh për ndarje, edhe pse asgjë nuk është konfirmuar publikisht. Pikërisht në këtë klimë, një video ku Ledioni, Arbri dhe Monika duken të relaksuar, ndërsa Sara jo vetëm bëhet pjesë e postimit përmes tag-ut, por e riposton vetë, krijon një tablo që shkon përtej një videoje të zakonshme. Të paktën në nivel perceptimi, duket si një mënyrë për të thënë se, kur vjen puna te “Big Brother”, të gjitha pjesët e rëndësishme të kësaj makinerie janë ende në vend.
Pra, çfarë po komunikon realisht kjo video? Që “Big Brother” nuk është i tronditur, që nuk ndihet i kërcënuar, që thumbat e hedhura nga “Ferma” nuk e trembin dhe që ekipi është aty dhe vazhdon të funksionojë si një trup i vetëm.

