
Reperi Besart Kelmendi, i njohur me emrin e artit “Gjesti”, është liruar nga paraburgimi vetëm një javë pas arrestimit të tij në Prishtinë.
Gjesti u arrestua më 11 mars 2026 në Prishtinë nën akuzën për armëmbajtje pa leje. Sipas policisë, arrestimi ndodhi rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi”, ku artisti u ndalua dhe më pas u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai u dërgua në ndalim policor për 48 orë.
Një ditë më vonë, më 12 mars 2026, mediat raportuan edhe rrethanat që çuan në arrestim. Sipas burimeve, këngëtari kishte shkuar në zyrat e kompanisë muzikore Onima, ku pati një konflikt verbal me drejtuesin e saj, Erkand Shabani. Situata dyshohet se u tensionua gjatë debatit dhe raportohet se u dëmtua një kompjuter në ambientet e kompanisë, gjë që bëri që drejtuesit të njoftonin policinë për kanosje dhe dëmtim prone.
Pas ndërhyrjes së policisë, ndaj artistit u ngritën dyshime për tri vepra penale: armëmbajtje pa leje, kanosje dhe dëmtim të pasurisë.
Konflikti mes Gjestit dhe kompanisë Onima nuk është i ri. Tensionet mes palëve u bënë publike që në verën e vitit 2025, kur artisti deklaroi se kishte ndaluar publikimin e projekteve muzikore për shkak të mosmarrëveshjeve me distributorin e tij lidhur me të drejtat dhe shpërndarjen e muzikës. Kompania, nga ana tjetër, mohoi akuzat dhe deklaroi se çështja lidhej me përpjekjen e artistit për t’u shkëputur nga kontrata ekzistuese.


