
Pas lirimit nga paraburgimi, këngëtari Besart Kelmendi, i njohur për publikun si Gjesti, ka reaguar për herë të parë përmes një story në Instagram.
Artisti u shpreh se periudha që ka kaluar nuk ka qenë aspak e lehtë për të, ndërsa theksoi se e ndiente të nevojshme të sqaronte situatën pas zhvillimeve të fundit.
Në reagimin e tij, Gjesti pranoi se veprimet për të cilat është akuzuar kanë qenë të gabuara dhe se është penduar për to. Ai shtoi se kjo eksperiencë ka qenë e vështirë, por njëkohësisht një moment reflektimi.

Megjithatë, këngëtari bëri të ditur se, pavarësisht situatës, ai do të vazhdojë të merret me muzikë dhe me projektet e tij artistike. Sipas tij, në vazhdim fansat do të mund të dëgjojnë këngët e reja që do të publikohen në rrjetet e tij sociale.
Pse u arrestua
Gjesti u arrestua më 11 mars 2026 në Prishtinë nën akuzën për armëmbajtje pa leje. Sipas policisë, arrestimi ndodhi rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi”, ku artisti u ndalua dhe më pas u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai u dërgua në ndalim policor për 48 orë.
Një ditë më vonë, më 12 mars 2026, mediat raportuan edhe rrethanat që çuan në arrestim. Sipas burimeve, këngëtari kishte shkuar në zyrat e kompanisë muzikore Onima, ku pati një konflikt verbal me drejtuesin e saj, Erkand Shabani. Situata dyshohet se u tensionua gjatë debatit dhe raportohet se u dëmtua një kompjuter në ambientet e kompanisë, gjë që bëri që drejtuesit të njoftonin policinë për kanosje dhe dëmtim prone.
Pas ndërhyrjes së policisë, ndaj artistit u ngritën dyshime për tri vepra penale: armëmbajtje pa leje, kanosje dhe dëmtim të pasurisë.
Konflikti mes Gjestit dhe kompanisë Onima nuk është i ri. Tensionet mes palëve u bënë publike që në verën e vitit 2025, kur artisti deklaroi se kishte ndaluar publikimin e projekteve muzikore për shkak të mosmarrëveshjeve me distributorin e tij lidhur me të drejtat dhe shpërndarjen e muzikës. Kompania, nga ana tjetër, mohoi akuzat dhe deklaroi se çështja lidhej me përpjekjen e artistit për t’u shkëputur nga kontrata ekzistuese.



